Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë masa ndaj Qumështores VITA pas kontrolleve zyrtare dhe rezultateve laboratorike të Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (LUVK).
Sipas AUV-së, gjatë kontrolleve janë konstatuar gjithsej 12 produkte jokonforme, të cilat ishin paraqitur dhe tregtuar si produkte me përmbajtje shtazore. Mospërputhjet kanë të bëjnë me praninë e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtesë së padeklaruar.
Për këto produkte, AUV ka urdhëruar tërheqjen nga tregu.
Katër produkte të deklaruara si qumësht rezultuan jokonforme
Gjetja më serioze, sipas AUV-së, lidhet me produktet e deklaruara si qumësht.
Nga mostrat e analizuara, katër produkte të shitura, të paraqitura dhe të deklaruara si qumësht rezultuan jokonforme. Dy prej tyre kanë rezultuar me prani të vajit të palmës, ndërsa në dy të tjera është konstatuar prani e qumështit pluhur, përbërës këta që nuk ishin deklaruar për konsumatorin.
AUV thekson se të katër produktet kanë dalë nga i njëjti objekt dhe aktivitet i aprovuar për prodhimin dhe përpunimin e qumështit.
Ndërkohë, nga produktet e qumështit të analizuara, vetëm një markë ka rezultuar pa prani të vajit të palmës dhe qumështit pluhur dhe nuk është cilësuar jokonforme.
Megjithatë, për shkak se edhe ky produkt prodhohet në të njëjtin objekt dhe në linjën e prodhimit ku janë evidentuar mospërputhjet, AUV ka vendosur që ai të jetë nën mbikëqyrje të shtuar dhe ritestim të vazhdueshëm.
26 produkte të tjera jashtë fushëveprimit të aprovimit
Kontrollet kanë evidentuar edhe 26 produkte me përmbajtje bimore, të cilat, sipas AUV-së, janë prodhuar jashtë fushëveprimit të aprovimit të operatorit.
Për këtë aktivitet është urdhëruar ndalimi i prodhimit, deri në marrjen e aprovimit përkatës nga AUV.
Raporti evidenton gjithashtu një aktivitet me bazë yndyre bimore dhe proteine qumështi, për të cilin gjatë kontrollit nuk ishte paraqitur autorizimi i posaçëm.
Masat e ndërmarra nga AUV
Në kuadër të masave të ndërmarra ndaj operatorit, AUV ka vendosur:
- tërheqjen nga tregu të 12 produkteve jokonforme;
- mbikëqyrje të shtuar dhe ritestim të vazhdueshëm të linjës së prodhimit të qumështit;
- ndalimin e prodhimit të 26 produkteve të prodhuara jashtë fushëveprimit të aprovimit;
- ndalimin e paraqitjes mashtruese të produkteve;
- ndalimin e lëshimit të certifikatave veterinare deri në eliminimin e mospërputhjeve.
AUV bën të ditur se masat do të vazhdojnë të zbatohen deri në eliminimin e mospërputhjeve të evidentuara dhe përmbushjen e kërkesave përkatëse ligjore.
/Motilokal.com
