Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka konfirmuar sot (7 gusht 2026) rastin e parë për këtë vit me Virusin e Nilit Perëndimor (West Nile Virus – WNV).
Sipas IKShPK-së, rasti është identifikuar përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë dhe bëhet fjalë për një person të gjinisë mashkullore, të lindur në vitin 2005, shtetas i Republikës së Kosovës.
Pacienti aktualisht është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe, sipas njoftimit zyrtar, gjendja e tij është stabile dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
Nga hulumtimi epidemiologjik rezulton se pacienti nuk ka pasur histori udhëtimi jashtë Kosovës në vendet ku aktualisht është raportuar qarkullim i virusit.
Virusi i Nilit Perëndimor është një sëmundje sezonale që shfaqet kryesisht gjatë muajve të verës dhe transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Sipas të dhënave të raportuara në Rajonin Evropian deri më 5 gusht 2026, raste të infeksionit me këtë virus janë regjistruar në disa vende, përfshirë Italinë me 139 raste, Greqinë me 61 raste, Spanjën me 17 raste, Maqedoninë e Veriut me 13 raste, Rumaninë me 6 raste, Francën me 4 raste dhe Gjermaninë me 1 rast.
Në Kosovë, gjatë periudhës 2021–2025 janë regjistruar gjithsej 9 raste të Virusit të Nilit Perëndimor. Prej tyre, 7 raste janë evidentuar gjatë vitit 2024, ndërsa nga një rast në vitet 2023 dhe 2025. Rasti i konfirmuar sot është i pari për vitin 2026.
IKShPK sqaron se virusi nuk transmetohet nga personi te personi përmes kontakteve të zakonshme, por kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Rreth 80 për qind e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa tek rreth 20 për qind mund të paraqiten shenja si temperaturë, ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, lodhje apo skuqje të lëkurës.
Format e rënda të sëmundjes janë të rralla dhe prekin më pak se 1 për qind të rasteve, kryesisht tek personat e moshuar ose ata me sëmundje shoqëruese, ku mund të përfshihet edhe sistemi nervor.
IKShPK u ka bërë apel qytetarëve që të zbatojnë masat parandaluese për të ulur rrezikun e infektimit, duke rekomanduar përdorimin e repelentëve kundër mushkonjave, veshjen e rrobave që mbulojnë trupin, vendosjen e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe eliminimin e ujërave të ndenjura ku mund të shumohen mushkonjat.
Qytetarët këshillohen gjithashtu të shmangin qëndrimin jashtë gjatë agimit dhe muzgut, kur aktiviteti i mushkonjave është më i lartë, si dhe të mbajnë të pastra sipërfaqet ku mund të grumbullohet ujë.
Personat që udhëtojnë në zona ku virusi është aktiv rekomandohen të marrin masa mbrojtëse dhe, në rast të shfaqjes së simptomave gjatë ose pas udhëtimit, të kërkojnë këshillë mjekësore.
IKShPK ka bërë të ditur se po e monitoron në vazhdimësi situatën dhe ka theksuar se nuk ka vend për panik, ndërsa masat e thjeshta parandaluese mbeten mënyra më efektive për të zvogëluar rrezikun gjatë sezonit të aktivitetit të mushkonjave.
/Motilokal.com
