Ereniku i Junikut, lumi i parë në Kosovë që çlirohet nga betonizimi dhe rikthehet në gjendjen natyrore

Ereniku i Junikut, lumi i parë në Kosovë që çlirohet nga betonizimi dhe rikthehet në gjendjen natyrore

Lumi Ereniku në Junik pritet të bëhet lumi i parë në Kosovë që do të çlirohet nga betonizimi dhe do t’i nënshtrohet një procesi të plotë rehabilitimi përmes Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë (Nature-Based Solutions).

Ministrja e Mjedisit në detyrë, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Ministria do të marrë përsipër realizimin e plotë të këtij projekti, i cili synon rikthimin e funksionit natyror të lumit dhe mbrojtjen e ekosistemit të zonës.

Sipas saj, projekti do të shërbejë si model për qasjen e re ndaj menaxhimit të lumenjve në Kosovë, duke u fokusuar në bashkëpunimin me natyrën dhe jo në ndërhyrjet që dëmtojnë rrjedhat natyrore.

Gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, janë dakorduar hapat e mëtejshëm për realizimin e këtij projekti.

“Ereniku i Junikut do të jetë lumi i parë në Kosovë që çlirohet nga ngulfatja e betonit dhe rehabilitohet tërësisht përmes Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë, duke i kthyer zonës magjinë e saj natyrore”, ka deklaruar Pacolli.

Ajo ka theksuar se tash e tutje projektet do të planifikohen duke e pasur natyrën si partner, me synim ruajtjen e mjedisit dhe krijimin e zgjidhjeve më të qëndrueshme.

/Motilokal.com