Kosova të premten do të vijojë të jetë nën ndikimin e motit të nxehtë veror, me temperatura të larta që do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të vendit. Megjithatë, gjatë ditës pritet një dobësim i lehtë i vapës, sidomos në zonat ku atmosfera do të paraqitet më e paqëndrueshme.
Në disa rajone mund të ketë zhvillime të përkohshme të vranësirave, të cilat mund të sjellin reshje të izoluara shiu, të shoqëruara me vetëtima, bubullima dhe në zona të veçanta edhe mundësi për breshër.
Këto dukuri do të jenë kryesisht lokale dhe nuk pritet të përfshijnë tërë territorin e Kosovës. Në pjesën më të madhe të vendit moti do të mbetet i nxehtë dhe me periudha të gjata me diell.
Temperaturat do të shënojnë luhatje, me minimale rreth 20°C në orët e para të ditës dhe maksimale deri në 32°C gjatë pasdites.
Gjatë orëve të mesditës, indeksi UV pritet të jetë i lartë, ndaj këshillohet shmangia e ekspozimit të gjatë në diell dhe përdorimi i masave mbrojtëse.
/Motilokal.com
