Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka nisur sot një aksion të koordinuar për kontrollin e produkteve të qumështit në të gjithë territorin e Kosovës, pas rezultateve laboratorike të publikuara nga AUV për mostrat e analizuara.
Inspektorati Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut (IQMT), së bashku me inspektorët e AUV-së, po zhvillon inspektime në rrjetet e marketeve për të verifikuar nëse deklaracionet dhe etiketimi i produkteve përputhen me përmbajtjen e tyre reale dhe me rezultatet e analizave laboratorike.
Sipas MINTI-t, mbikëqyrja do të përfshijë si produktet e prodhuara në Kosovë, ashtu edhe ato të importuara, me synim mbrojtjen e konsumatorëve, garantimin e informimit të saktë dhe forcimin e sigurisë ushqimore në treg.
Kontrollet po zhvillohen në përputhje me Ligjin për Ushqimin dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, duke u fokusuar në verifikimin e etiketimit, reklamimit dhe mënyrës së paraqitjes së produkteve në treg.
MINTI u ka bërë thirrje kompanive, produktet e të cilave kanë rezultuar të mos jenë në përputhje me deklaracionin në etiketë, që të ndërmarrin menjëherë masa për korrigjimin e etiketimit dhe tërheqjen e produkteve nga tregu. Në të kundërt, IQMT dhe AUV kanë paralajmëruar masa administrative dhe ndëshkuese, përfshirë ndalimin e përkohshëm të tregtimit të produkteve që nuk plotësojnë kërkesat ligjore.
Ndërkohë, institucionet kanë ndërmarrë edhe një inspektim të veçantë lidhur me dyshimet për përdorimin e ujit të ujitjes në procesin e prodhimit dhe përpunimit të produkteve të qumështit nga një kompani në Kosovë.
Inspektimi është zhvilluar në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit "Drini i Bardhë" në Pejë, ku janë marrë mostra të ujit të përdorur në procesin e prodhimit.
Mostrat do t'i nënshtrohen analizave fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe testeve për praninë e metaleve. Pas publikimit të rezultateve zyrtare, institucionet kompetente do të vendosin për hapat e mëtejshëm në përputhje me legjislacionin në fuqi.
MINTI thekson se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e interesit të konsumatorëve, garantimin e konkurrencës së ndershme në treg dhe zbatimin e standardeve ligjore për sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore.
/Motilokal.com
