Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministrat Getoar Mjeku dhe Triera Kasumi-Berisha, si dhe kryeshefin e Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka, vizituan digën e Liqenit të Ujmanit dhe hidrocentralin e Ujmanit në komunën e Zubin Potokut.
Gjatë vizitës, kryeministri Kurti vlerësoi rëndësinë strategjike të Liqenit të Ujmanit, duke theksuar se ai siguron furnizim me ujë për amvisëritë, industrinë dhe termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në vend.
Ai e cilësoi Ujmanin si një pasuri të jashtëzakonshme të Republikës së Kosovës dhe theksoi se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë punëtorët dhe menaxhmentin e ndërmarrjes për të mbrojtur interesin publik, veçanërisht në kohën kur ndryshimet klimatike dhe thatësirat po bëhen gjithnjë e më sfiduese.
Në vizitën në hidrocentral, Kurti nënvizoi se, përveç rolit të rëndësishëm të “Ibër Lepencit” në furnizimin me ujë për industrinë, bujqësinë dhe amvisëritë, hidrocentrali ka një rol kyç në qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes.
Sipas tij, ndërmarrja ka shënuar rezultate pozitive financiare që nga viti 2022. Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2025 “Ibër Lepenci” realizoi qarkullim prej 12.8 milionë eurosh dhe fitim neto prej 1.76 milionë eurosh, ndërsa në periudhën 2022–2025 ka regjistruar rreth 4.3 milionë euro fitim. Kurti theksoi se kjo paraqet një ndryshim të madh krahasuar me periudhën 2018–2021, kur ndërmarrja kishte akumuluar humbje prej 13.8 milionë eurosh.
/Motilokal.com
