Përdorimi i shtretërve për rrezitje dhe nxirja e qëllimshme po bëhen përsëri gjithnjë e më popullore tek të rinjtë, pavarësisht paralajmërimeve të shumta nga ekspertët se ekspozimi ndaj rrezatimit UV mund të shkaktojë dëmtime serioze të lëkurës dhe të rrisë rrezikun e melanomës, një nga format më të rrezikshme të kancerit të lëkurës.
Rreziqet e këtij trendi janë theksuar edhe nga Nicole Sims (Nichole), e cila u diagnostikua me melanomë tetë vjet pasi filloi të përdorte rregullisht shtretërit për rrezitje në moshën 15 vjeç. Sot, ajo ndan përvojën e saj në mediat sociale për të nxjerrë në pah pasojat e zakoneve të tilla.
"Thjesht mendoj se brezi ynë nuk i shqyrton shumë rreziqet. Ata thjesht jetojnë momentin", tha Sims.
Hulumtimet konfirmojnë rritjen e rrezikut
Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, këtë vit në Shtetet e Bashkuara priten më shumë se 100,000 raste të reja me melanomë, ndërsa rreth 8,500 njerëz mund të vdesin nga kjo sëmundje.
Mjeket nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit Northwestern hetoi ndryshimet që shkakton rrezatimi UV në qelizat e lëkurës së përdoruesve të solariumit. Ekipi i tij zbuloi se njerëzit që përdorin shtretër për rrezitje kanë pothuajse tre herë më shumë rrezik për të zhvilluar melanomë krahasuar me ata që nuk e bëjnë këtë.
Analiza e melanociteve tregoi se shkalla e mutacioneve të ADN-së tek përdoruesit e shtratit për rrezitje ishte më shumë se dyfish më e lartë sesa tek njerëzit që ishin të ekspozuar ekskluzivisht ndaj rrezeve natyrore të diellit.
Vetëm dy ose tre mutacione në vendin e duhur janë të mjaftueshme për ta shndërruar atë në melanoma, paralajmëroi mjeku.
Ekspertët këshillojnë kujdes
Mjekët theksojnë se nuk ka një mënyrë të sigurt për të nxirë lëkurën, duke theksuar se shtretërit për rrezitje mund të lëshojnë rrezatim UV më shumë se dhjetë herë më të fortë se rrezet natyrale të diellit. Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë i përfshiu ato midis shkaqeve të provuara të kancerit.
Sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë, përdorimi i solariumit para moshës 20 vjeç rrit rrezikun e zhvillimit të melanomës me 47 për qind. Ekspertët këshillojnë prindërit të flasin me të rinjtë e tyre rreth efekteve afatgjata të rrezatimit UV dhe të përdorin produkte më të sigurta për vetë-nxirje në vend të solariumit.
/Motilokal.com
