Pesë persona humbën jetën, ndërsa dëme të mëdha materiale u shkaktuan nga erërat e fuqishme që goditën pjesë të Brazilit, me shpejtësi që arritën deri në 124 km/h.
Dy prej viktimave humbën jetën në lagjen Santa Teresa të Rio de Janeiros, pasi një mur u shemb si pasojë e forcës së erës dhe i zuri poshtë. Momenti tragjik u kap nga kamerat e sigurisë.
Dy persona të tjerë vdiqën pasi u goditën nga pemë të rrëzuara nga era – njëri ishte duke ecur në rrugë, ndërsa tjetri ndodhej brenda veturës së tij. Viktima e pestë ishte një peshkatar, varka e të cilit u përmbys nga kushtet e rënda të motit.
Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë çati që shkëputen nga ndërtesat, skela që shemben dhe mbeturina që fluturojnë nëpër rrugë nën ndikimin e erërave të forta.
Skena paniku u regjistruan edhe në plazhe, ku pushuesit u përballën me vështirësi për të qëndruar në këmbë për shkak të shpërthimeve të fuqishme të erës.
Sipas meteorologëve, moti ekstrem u shkaktua nga depërtimi i një fronti të ftohtë në rajonet qendrore dhe jugore të Brazilit. Përplasja e tij me një masë ajri të ngrohtë dhe të lagësht krijoi kushte për stuhi të forta, luhatje të menjëhershme të temperaturës dhe erëra me intensitet të lartë.
/Motilokal.com
