Pas konfirmimit të disa rasteve të sëmundjes Lija e Dhenve dhe Dhive (Sheep and Goat Pox) në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u bën thirrje të gjithë fermerëve që merren me rritjen e deleve dhe dhive të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë.
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejshme të kësaj sëmundjeje, fermerët këshillohen të zbatojnë këto masa:
- Mos lëvizni delet dhe dhitë nga ferma pa autorizimin e veterinerit zyrtar.
- Kufizoni hyrjen e personave dhe automjeteve të paautorizuara në fermë.
- Shmangni kontaktin e kafshëve tuaja me tufat e fermave të tjera.
- Pastroni dhe dezinfektoni rregullisht objektet, pajisjet dhe mjetet e transportit.
- Kafshët e sapoblera mbajini të ndara nga tufa për një periudhë vëzhgimi.
- Kontrolloni çdo ditë gjendjen shëndetësore të kafshëve.
Fermerët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj shenjave të mundshme të sëmundjes, si:
- temperaturë e lartë;
- puçrra ose plagë në lëkurë, gojë, hundë apo gjinj;
- rrjedhje nga sytë ose hunda;
- mungesë oreksi, dobësi ose ngordhje të kafshëve.
Në rast të paraqitjes së këtyre simptomave, fermerët duhet të njoftojnë menjëherë veterinerin privat ose inspektorët e AUV-së. Mos tentoni t’i trajtoni apo t’i lëvizni kafshët e dyshuara pa udhëzim profesional.
Bashkëpunimi i fermerëve është thelbësor për kufizimin e përhapjes së sëmundjes dhe mbrojtjen e tufave në të gjithë vendin.
Lija e Dhenve dhe Dhive nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Megjithatë, ajo është një sëmundje me ndikim ekonomik, e cila mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme për fermerët dhe ekonominë e vendit.
AUV apelon për kujdes, përgjegjësi dhe raportim të menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar.
/Motilokal.com
