Shikuar nga miliona njerëz: Momenti dramatik kur një fëmijë shpëtohet nga mbytja e sigurt në detin e trazuar

Shikuar nga miliona njerëz: Momenti dramatik kur një fëmijë shpëtohet nga mbytja e sigurt në detin e trazuar

Një video dramatike, e cila është parë nga miliona njerëz në rrjetet sociale, tregon momentin kur një roje bregdetare rrezikon jetën për të shpëtuar një djalë që po merrej nga dallgët e fuqishme në plazhin shtetëror Seabright, pranë shëtitores së plazhit Santa Cruz, në Kaliforni.

Pamjet u filmuan nga dëshmitari Scott Vander Dussen, i cili tha se pa rojen bregdetare të vraponte pa hezitim drejt detit sapo vuri re se djali ishte në rrezik.

"E pashë rojen e shpëtimit të vraponte drejt ujit dhe të zhytej menjëherë, duke lënë mënjanë çdo frikë për të shpëtuar djalin", u shpreh ai.

Në video shihet roja bregdetare duke luftuar me dallgët e fuqishme ndërsa përpiqet ta nxjerrë të riun në breg. Sipas dëshmitarit, kushtet në det ndryshuan brenda pak çastesh.

"Valët u bënë shumë më të forta. Djali u përmbys dhe u tërhoq larg bregut", tha Vander Dussen.

Në një moment, edhe disa pushues u përpoqën të ndihmonin, por u përballën me forcën e madhe të dallgëve.

Bryan Kine, mbikëqyrës i rojeve bregdetare në Parqet Shtetërore të Santa Cruz, vlerësoi gatishmërinë e qytetarëve për të ndihmuar, por paralajmëroi se ndërhyrje të tilla mund të krijojnë rreziqe edhe më të mëdha.

"Ne e vlerësojmë dëshirën e njerëzve për të ndihmuar, por shpesh kjo mund ta përkeqësojë situatën", tha ai, duke theksuar se kushtet në det ishin jashtëzakonisht sfiduese.

Ky ishte një nga të paktën 25 operacionet e shpëtimit të raportuara të shtunën në Qarkun Santa Cruz, pasi dallgë të mëdha goditën bregdetin. Në këtë rast, një roje tjetër bregdetare iu bashkua operacionit dhe së bashku arritën ta nxirrnin djalin shëndoshë e mirë në breg.

Sipas Vander Dussen, prania dhe reagimi i shpejtë i rojeve bregdetare ishte vendimtar.

"Nëse ata nuk do të kishin qenë aty, përfundimi do të kishte qenë krejt ndryshe. Djali kishte nevojë urgjente për ndihmë dhe ata bënë pikërisht atë që duhej bërë."

/Motilokal.com