Komuna e Ferizajt: Gjendja nën kontroll pas reshjeve intensive, ekipet emergjente në terren

Komuna e Ferizajt: Gjendja nën kontroll pas reshjeve intensive, ekipet emergjente në terren

Reshjet e dendura dhe të pandërprera të shiut që kanë nisur gjatë orëve të hershme të mëngjesit kanë shkaktuar vështirësi të përkohshme në qarkullimin rrugor në disa pjesë të Ferizajt.

Komuna e Ferizajt ka bërë të ditur se ekipet emergjente janë angazhuar në terren dhe kanë intervenuar në rastet e paraqitura, ndërsa gjendja aktualisht është nën kontroll.

Sipas njoftimit të Komunës, një video e shkurtër e një nënkalimi pranë Stacionit Policor, e cila është shpërndarë në rrjete sociale, nuk paraqet gjendjen reale në tërësi, pasi ekipet kanë reaguar menjëherë dhe rrugët kryesore dhe nënkalimet në kompetencë lokale janë të kalueshme.

Komuna ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët, pasi kushtet e paqëndrueshme atmosferike dhe reshjet intensive pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës.

/Motilokal.com