Edhe pse jemi në fund të muajit korrik, moti ka sjellë një surprizë të rrallë në viset më të larta malore. Reshjet e borës kanë zbardhur majat e Bjeshkëve të Belegut, Gjeravicës, Malet e Sharrit dhe Malit të Korabit, duke krijuar pamje të pazakonta për këtë periudhë të vitit.
Temperaturat e ulëta në lartësi të mëdha, të shoqëruara me reshje, kanë bërë që shiu të shndërrohet në borë, ndërsa fotografitë e publikuara nga alpinistë dhe vizitorë tregojnë peizazhe që ngjasojnë më shumë me stinën e dimrit sesa me mesin e verës.
Ky fenomen është karakteristik vetëm për zonat me lartësi të madhe dhe nuk paraqet kushte dimërore në ultësira. Megjithatë, ai dëshmon kontrastin e madh të motit që mund të përjetohet në rajonin tonë edhe gjatë verës.
/Motilokal.com
