Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të premte në fshatin Dërdushë të Bashkisë së Pogradecit, ku një tufë delesh është goditur nga rrufeja gjatë motit të keq.
Si pasojë e shkarkimit atmosferik, rreth 10 dele kanë ngordhur, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike për pronaren e tufës, Tatjana Beçoku. Tufa përbëhej nga mbi 100 krerë, ndërsa dyshohet se disa dele të tjera mund të jenë lënduar.
Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk raportohet për persona të prekur. Ndërkohë, shërbimi veterinar ka nisur verifikimet në terren për të vlerësuar dhe dokumentuar dëmet e shkaktuara.
Ngjarja rikujton edhe një herë rrezikun që paraqesin stuhitë me rrufe, veçanërisht për kafshët që ndodhen në ambiente të hapura gjatë motit të paqëndrueshëm.
/Motilokal.com
