Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar nisjen e një projekti për rehabilitimin e zonave të degraduara në pellgun e lumit Drini i Bardhë, pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me përfaqësuesit e CNVP-së.
Sipas saj, ky partneritet synon menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, rikthimin e ekosistemeve të dëmtuara dhe forcimin e mbrojtjes së burimeve natyrore.
Në kuadër të projektit do të rehabilitohen mbi 5 hektarë tokë e degraduar, do të realizohen mbjellje të reja për ripyllëzim, do të mbrohet biodiversiteti dhe do të zhvillohen aktivitete për rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit mbi rëndësinë e pyjeve dhe mbrojtjes së mjedisit.
Pacolli theksoi se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin iniciativa që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm, menaxhimin e përgjegjshëm të pasurive natyrore dhe një të ardhme më të gjelbër për Kosovën.
/Motilokal.com
