Italia po përballet me një situatë të pazakontë atmosferike, ku veriu i vendit është goditur nga stuhi të fuqishme me breshër të madh, ndërsa jugu vazhdon të përballet me një valë të fortë të nxehti me temperatura mbi 40°C.
Një nga episodet më të rënda u regjistrua në autostradën A13 pranë Ferrarës, ku një stuhi e fortë solli breshër me përmasa deri në disa centimetra. Drejtuesit e automjeteve u detyruan të ndalonin në mes të rrugës, ndërsa dhjetëra makina pësuan dëmtime të konsiderueshme, me xhama të thyer dhe karroceri të dëmtuara. Raportohet edhe për persona të lënduar.

“Qielli u errësua papritur dhe më pas nisi breshëri. Më theu xhamin e përparmë. U detyrova të ndaloja dhe të mbuloja fytyrën”, tregoi një prej shoferëve të prekur nga stuhia.
Moti ekstrem goditi edhe rajonet Lombardi dhe Emilia-Romagna. Në Milano, një stuhi e fortë detyroi evakuimin e rreth 80 mijë spektatorëve nga një koncert, ndërsa në Ravenna u rrëzuan mbi 100 pemë, u dëmtuan ndërtesa dhe u bllokuan përkohësisht disa rrugë kryesore. Probleme u raportuan edhe në transportin hekurudhor dhe rrugor.

Sektori bujqësor është ndër më të prekurit. Fermerët kanë raportuar dëme të mëdha në kulturat bujqësore si misri, soja, orizi, luledielli dhe pemishtet. Breshëri ka shkatërruar gjithashtu rrjetat mbrojtëse dhe infrastruktura të tjera bujqësore, ndërsa dëmet paraprake vlerësohen në qindra miliona euro.
Vetëm brenda tre ditëve, në veri të Italisë janë regjistruar rreth 192 stuhi të forta breshëri, ndërsa në disa zona kokrrat e akullit kanë arritur përmasa jashtëzakonisht të mëdha, deri në rreth 10 centimetra diametër.

Organizatat e fermerëve kanë kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndihmë financiare për rikuperimin e dëmeve.
Ndërkohë, në jug të Italisë situata është krejtësisht ndryshe. Temperaturat mbi 40°C kanë rritur rrezikun për zjarre në pyje dhe zona me bimësi mesdhetare, duke e kthyer vendin në një skenar të dyfishtë ekstrem: stuhi shkatërruese në veri dhe vapë përvëluese në jug.
/Motilokal.com
