Bilanci i stuhisë në Maqedoninë e Veriut: 10 të lënduar, qindra dëme materiale

Bilanci i stuhisë në Maqedoninë e Veriut: 10 të lënduar, qindra dëme materiale

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se zyrtarët policorë vijojnë të jenë në terren, duke reaguar ndaj të gjitha rasteve që lidhen me pasojat e stuhisë së fuqishme, në koordinim me institucionet e tjera kompetente.

Sipas MPB-së, aktivitetet janë përqendruar në garantimin e sigurisë publike, largimin e dëmeve, normalizimin e qarkullimit rrugor dhe rikthimin e funksionimit të shërbimeve publike.

Dëmet më të mëdha janë regjistruar në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup. Deri në orën 22:00 të mbrëmjes së djeshme janë evidentuar 117 automjete të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, shtatë semaforë të dëmtuar, pesë zjarre dhe 10 persona të lënduar.

Stuhia ka shkaktuar dëme edhe në disa institucione shtetërore dhe objekte me rëndësi të veçantë, përfshirë objektet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kompleksin "Vila Vodno", Bazën Policore në Aeroportin e Petrovecit, ndërtesën "Nova Makedonija", si dhe objektet e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike.

Në Kumanovë janë raportuar nëntë automjete dhe tri çati të dëmtuara, ndërsa në rajonin e Tetovës janë regjistruar pesë raste, përkatësisht tre automjete dhe dy çati të dëmtuara. Në Gostivar nuk janë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar.

Në zonën e Velesit janë dëmtuar dy automjete si pasojë e pemëve të rrëzuara, ndërsa në Shtip janë regjistruar 14 automjete dhe gjashtë çati të dëmtuara.

Në rajonin e Strumicës, erërat e forta rrëzuan shtylla elektrike në fshatrat Dobroshinci dhe Gradosorci, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike edhe në fshatin Svidovicë.

Ndërkohë, në rajonin e Manastirit nuk janë regjistruar pasoja të konsiderueshme. Sipas MPB-së, në zonën e Makedonski Brod është shënuar vetëm një erë e fortë afatshkurtër, pa dëme materiale.

Ministria e Punëve të Brendshme thekson se ekipet policore mbeten të angazhuara në terren dhe do të vazhdojnë punën për eliminimin e pasojave të stuhisë dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

/Motilokal.com