Stuhia e fuqishme që përfshiu mbrëmjen e së martës qytetin e Sarandës ka lënë pas dëme të konsiderueshme, veçanërisht në lulishten “Miqësia”, një nga hapësirat më të frekuentuara publike të qytetit.
Erërat e forta kanë rrëzuar dhe dëmtuar dhjetëra pemë, ndërsa në terren shihen degë të thyera dhe pemë të shkulura nga rrënjët. Pamjet e mëngjesit të sotëm dëshmojnë forcën e stuhisë, e cila ka ndryshuar ndjeshëm pamjen e kësaj zone.
Përveç dëmeve në gjelbërim, stuhia ka shkaktuar dëmtime edhe në disa biznese dhe automjete. Në disa pjesë të lulishtes, qarkullimi i këmbësorëve është vështirësuar për shkak të pemëve dhe degëve të rrëzuara.
Autoritetet pritet të ndërhyjnë për pastrimin e zonës dhe rikthimin e normalitetit, ndërsa po vlerësohet shkalla e plotë e dëmeve të shkaktuara nga moti i keq.
/Motilokal.com
