Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin kanë rritur edhe rrezikun për probleme shëndetësore, veçanërisht nga ekspozimi i zgjatur në diell. Mjekët u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin qëndrimin në diell gjatë orëve kur rrezatimi është më i fortë.
Dermatologia Monika Fida këshillon që plazhet dhe pishinat të frekuentohen kryesisht në orët e para të mëngjesit, kur intensiteti i rrezeve ultraviolet është më i ulët.
Sipas saj, përdorimi i kremrave mbrojtës me faktor SPF 30 deri në 50+ duhet të jetë i vazhdueshëm, sidomos për fëmijët dhe personat me lëkurë të çelët, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj djegieve nga dielli.
“Jemi në sezonin e verës ku frekuentimi i plazheve dhe pishinave është i lartë. Këshillojmë që këto ambiente të vizitohen në orët e para të mëngjesit, kur rrezatimi është më i ulët. Duhet të përdoren kremra mbrojtës nga dielli me faktorë 30-50+, si dhe veshje të lehta”, shprehet dermatologia.
Ajo paralajmëron gjithashtu për rrezikun e solareve, duke theksuar se nxirja artificiale e lëkurës nuk rekomandohet dhe mund të dëmtojë shëndetin e saj.
Specialistët këshillojnë qytetarët të tregojnë kujdes edhe ndaj ndryshimeve në nishane dhe të kërkojnë konsultë mjekësore në rast të shfaqjes së shenjave të dyshimta.
/Motilokal.com
