Gjatë ditëve të nxehta të verës, temperaturat në qendrat urbane mbeten të larta edhe pasi dielli perëndon. Sipas gjeografit Faruk Foniqi, ky fenomen njihet si "Urban Heat Island" (Ishulli Urban i Nxehtësisë) dhe është një nga pasojat më të dukshme të urbanizimit dhe ndryshimeve klimatike.
Foniqi shpjegon se materialet ndërtimore si asfalti, betoni dhe çatitë metalike thithin dhe ruajnë sasi të mëdha të energjisë diellore gjatë ditës. Si rezultat, këto sipërfaqe vazhdojnë të çlirojnë nxehtësi edhe gjatë natës, duke bërë që qytetet të mbeten dukshëm më të ngrohta sesa zonat rurale.
Sipas tij, pyjet, parqet dhe sipërfaqet ujore veprojnë si "ishuj freskie" (Cool Islands), pasi ndihmojnë në uljen e temperaturës dhe krijimin e një mikroklime më të këndshme. Në anën tjetër, zonat industriale, aeroportet dhe qendrat e dendura urbane regjistrojnë temperaturat më të larta.
Gjeografi thekson se zgjerimi i hapësirave të gjelbra është një nga mënyrat më efektive për të zbutur efektin e Ishullit Urban të Nxehtësisë. Mbjellja e pemëve, krijimi i parqeve, ndërtimi i kulmeve të gjelbra dhe përdorimi i materialeve që reflektojnë rrezatimin diellor janë masa që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e temperaturave dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës në qytete.
Ky fenomen po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe urbanizimit të shpejtë, duke e bërë planifikimin e qëndrueshëm urban një domosdoshmëri për qytetet e së ardhmes.
/Motilokal.com
