Land Rover prezantoi prototipet elektrike të Range Rover Sport Electric në Festivalin e Shpejtësisë në Goodwood dhe njoftoi se SUV-i me emetime zero do të jetë "më dinamik dhe më i shpejtë se kurrë", duke ruajtur njëkohësisht aftësitë e tij të njohura jashtë rrugës.
Martin Limpert, drejtor ekzekutiv i markës Range Rover, tha se versioni elektrik do të "ripërcaktojë edhe një herë standardet e SUV-ve me performancë të lartë", kur të dalë në treg më vonë gjatë këtij viti.
Gjatë një prezantimi privat në Festivalin e Shpejtësisë në Goodwood fundjavën e kaluar, kompania i nënshtroi prototipet elektrike një sërë provash spektakolare. Njëri prej tyre u hodh nga trupi i një aeroplani, një tjetër u ngjit në një palë shkallë, ndërsa një i tretë zbriti me shpejtësi përgjatë një piste. Qëllimi ishte të dëshmohej se modeli elektrik mund t'i përballojë me lehtësi të njëjtat sfida që përballojnë versionet me motorë me djegie të brendshme.
Sipas Land Rover, ky SUV "bashkon një gamë teknologjish të përparuara që ofrojnë më shumë fuqi dhe çift rrotullues, së bashku me një shasi të përmirësuar dhe një përvojë akustike të rafinuar, duke krijuar një eksperiencë drejtimi sa të veçantë, aq edhe emocionuese, në çdo terren".
Prototipet ruanin karrocerinë e modelit aktual Range Rover Sport, i cili është në treg që nga viti 2022, por ishin pajisur me rrota të reja aliazhi dhe drita mirëseardhjeje specifike për versionin elektrik, për t'u dalluar nga modelet e tjera. Megjithatë, versioni përfundimtar i prodhimit pritet të ketë një dizajn disi ndryshe kur të arrijë te klientët.
Edhe pse prodhuesi nuk zbuloi fuqinë e sistemit elektrik të lëvizjes, pritet që ai të jetë i njëjtë me atë të Range Rover Electric, i cili zhvillon 550 kuaj fuqi (KF). Specifikimet e plota teknike do të publikohen më vonë gjatë vitit 2026.
Përveç prezantimit të modelit me emetime zero, JLR ka konfirmuar se gama e Range Rover Sport do të vazhdojë të përfshijë motorë me gjashtë cilindra me benzinë dhe naftë, një motor V8 me benzinë të pajisur me teknologji hibride të butë (mild hybrid), si dhe versione hibride plug-in, duke ruajtur gamën e motorëve që ofron edhe modeli aktual.
/Motilokal.com
