Banorët e lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e krijuar nga grumbullimi i mbeturinave në rrugën “Bedri Gjini”, ku sipas tyre, mbeturinat nuk janë larguar tash e tri javë.
Ata thonë se mbeturinat janë vendosur në pikën e zakonshme të grumbullimit, me pritjen që të largoheshin sipas orarit të rregullt, por situata ka mbetur e njëjtë.
“Gjendja është kështu tash e tri javë. Nuk është hera e parë që përballemi me këtë problem, pasi raste të tilla përsëriten shpesh. Me këto temperatura të larta, aroma është e padurueshme dhe rreziku për shëndetin është i madh”, kanë deklaruar banorët në ankesën e tyre.
Ata shprehen veçanërisht të shqetësuar pasi pranë kësaj pike ndodhet një park ku luajnë fëmijët, duke e bërë situatën edhe më problematike.
“Pranë mbeturinave ndodhet parku i fëmijëve. Banorët nuk janë përgjegjës për këtë gjendje, pasi i kanë grumbulluar mbeturinat në vendin e caktuar, duke menduar se do të largoheshin si zakonisht. Megjithatë, deri tani askush nuk ka intervenuar”, kanë thënë ata.
Sipas banorëve, mungesa e reagimit nga institucionet përkatëse paraqet neglizhencë dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e problemit.
Ata i kanë bërë thirrje Komunës së Prishtinës dhe kryetarit Përparim Rama që të marrin masa sa më shpejt, duke paralajmëruar se vazhdimi i kësaj situate mund të ndikojë në shëndetin e banorëve, sidomos gjatë periudhës me temperatura të larta.
Banorët kërkojnë largimin urgjent të mbeturinave dhe rikthimin e shërbimit të rregullt të grumbullimit, për të shmangur rrezikun për shëndetin publik.
/Motilokal.com
