Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka intensifikuar kontrollet zyrtare pas rasteve të raportuara për dyshime të helmimit të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit.
Sipas AUV-së, inspektorët veterinarë kanë zhvilluar kontrolle emergjente në të dy lokacionet, ku janë verifikuar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve, dokumentacioni përkatës, gjurmueshmëria e produkteve dhe e lëndëve të para. Po ashtu, janë marrë mostra zyrtare për analiza laboratorike mikrobiologjike.
Në Prishtinë janë marrë mostra të sosit të bardhë, qumështit dhe vezëve, ndërsa në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit. Mostrat janë dërguar për analiza në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa mostra e vezëve është dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
AUV bën të ditur se analizat laboratorike janë ende në proces. Pas përfundimit të tyre dhe shqyrtimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrolleve, do të hartohet raporti përfundimtar dhe publiku do të njoftohet me rezultatet. Në rast se konstatohen shkelje të legjislacionit ose rrezik për shëndetin publik, ndaj operatorëve përgjegjës do të ndërmerren masat përkatëse administrative dhe ligjore.
Agjencia rikujton se përgjegjësia kryesore për sigurinë ushqimore u takon operatorëve të biznesit ushqimor, të cilët janë të obliguar të zbatojnë standardet ligjore, sistemet e vetëkontrollit, të garantojnë gjurmueshmërinë e produkteve dhe të respektojnë kushtet e ruajtjes, veçanërisht gjatë temperaturave të larta të verës.
Njëkohësisht, AUV u bën thirrje qytetarëve që gjatë blerjes së produkteve ushqimore të kontrollojnë etiketimin, afatin e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes, si dhe t'i transportojnë e t'i ruajnë ato sipas udhëzimeve të prodhuesit.
Agjencia njofton se kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës dhe se çdo shkelje e kërkesave ligjore do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
/Motilokal.com
