Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se janë rikthyer në procedurë të gjitha rastet për Pëlqim Mjedisor, në të cilat procesi i konsultimit publik nuk ka përmbushur standardet ligjore.
Pacolli ka theksuar se qytetarët janë partnerët më të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit dhe se vendimmarrja e drejtë nuk mund të bëhet pa përfshirjen e tyre.
Sipas saj, me këtë vendim do të rikthehen në shqyrtim lëndët ku Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) nuk ka qenë i qasshëm për publikun ose ku nuk janë respektuar procedurat ligjore të konsultimit publik.
“Qytetarët janë aleatët tanë më të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Nuk mund të ketë vendimmarrje të drejtë për mjedisin pa zërin e qytetarëve”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo ka bërë të ditur se asnjë Pëlqim Mjedisor nuk do të jepet pa u zhvilluar një proces i rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës i konsultimit publik.
Pas përsëritjes së procedurave dhe sigurimit të qasjes në dokumentacionin e VNM-së, operatorët ekonomikë dhe përpiluesit e raporteve do të obligohen të zhvillojnë forma shtesë të konsultimit me komunitetin, përmes komunikimit fizik ose elektronik, duke e dokumentuar të gjithë procesin.
Sipas Pacollit, ky vendim synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien, duke garantuar që pjesëmarrja e qytetarëve të mos mbetet vetëm një formalitet, por të jetë pjesë thelbësore e vendimmarrjes për çështjet mjedisore.
/Motilokal.com
