Rikthehet tregu mobil në Prishtinë, prodhimet vendore më afër qytetarëve

Rikthehet tregu mobil në Prishtinë, prodhimet vendore më afër qytetarëve

Tregu mobil është rikthyer në kryeqytet, duke sjellë përsëri prodhimet vendore më pranë qytetarëve të Prishtinës.

Drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna, ka bërë të ditur se ky treg ka për qëllim të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë mes fermerëve dhe konsumatorëve, duke u mundësuar qytetarëve të blejnë produkte të freskëta vendore.

Tregu mobil do të funksionojë tri herë në javë në tri nga sheshet kryesore të kryeqytetit: “Zahir Pajaziti”, “Bill Klinton” dhe “Adem Jashari”.

“Si Drejtori e Bujqësisë, do të vazhdojmë të punojmë për krijimin e kushteve sa më të mira për fermerët dhe prodhuesit vendorë, sepse besojmë se një bujqësi e fortë është themel i një kryeqyteti të zhvilluar”, ka deklaruar Rafuna.

Ajo ka ftuar qytetarët që ta vizitojnë tregun mobil, të zgjedhin produkte të freskëta vendore dhe përmes blerjeve të tyre të mbështesin punën e fermerëve.

“Së bashku, forcojmë bujqësinë vendore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kryeqytetit”, ka shkruar Rafuna në njoftimin e saj.


/Motilokal.com