Federata e Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës (FPSRK) ka njoftuar se gjatë ditëve të fundit janë zbuluar dhe konfiskuar një numër i konsiderueshëm rrjetash të paligjshme në disa lumenj dhe liqene të vendit, përfshirë edhe Liqenin e Ujmanit.
Sipas federatës, aksioni u zhvillua pas intensifikimit të kontrolleve dhe vëzhgimeve në terren, si rezultat i informatave të pranuara nga qytetarët dhe burime të tjera.
FPSRK bën të ditur se rrjeta ilegale janë gjetur në Ujman, Krushë, Vermicë, Gjakovë, Urën e Shejtë, si dhe në disa lokacione të tjera në Kosovë.
"Pas shumë informatave të pranuara gjatë ditëve të fundit, ekipet e FPSRK-së kanë intensifikuar vëzhgimin dhe kontrollet në liqene dhe lumenj. Si rezultat, janë konfiskuar një numër i konsiderueshëm rrjetash të paligjshme", thuhet në njoftimin e federatës.
Federata ka bërë të ditur se kontrollet dhe patrullimet do të vazhdojnë pa ndërprerje, me qëllim të parandalimit të peshkimit të paligjshëm dhe mbrojtjes së ekosistemeve ujore.
Në fund, FPSRK ka falënderuar rojet dhe ekipet e saj për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar në mbrojtjen e ujërave dhe fondit peshkor.
/Motilokal.com
