Evropa përvëlohet nga i nxehti ekstrem, Italia në alarm të kuq

Evropa përvëlohet nga i nxehti ekstrem, Italia në alarm të kuq

Një valë e re e të nxehtit ekstrem ka përfshirë Italinë dhe një pjesë të madhe të Evropës, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 45°C në disa zona gjatë ditëve në vijim.

Për të tretën herë brenda pak javësh, autoritetet italiane kanë shpallur alarm të kuq për disa qytete. Aktualisht, niveli më i lartë i rrezikut është në fuqi në Firence, Peruxhia, Breshia dhe Torino. Të mërkurën, alarmi do të zgjerohet edhe në Bolonjë, Frosinone dhe Romë.

Sipas meteorologëve, temperaturat do të luhaten nga 39°C deri në 41°C në pjesën më të madhe të Italisë qendrore dhe jugore, si dhe në ishullin e Sardenjës. Në zonat e brendshme të vendit, termometri mund të ngjitet pranë 45°C deri në fund të javës.

Përveç vapës përvëluese, Italia po përballet edhe me një thatësirë të theksuar dhe mungesë të burimeve ujore. Situata është veçanërisht shqetësuese në rajonin e Piemontes, ku autoritetet kanë ngritur alarmin për krizën e ujit.

Temperaturat ekstreme kanë ndikuar edhe në jetën e përditshme. Në Firence, korrierët e platformave të shpërndarjes së ushqimit kanë paralajmëruar grevë, duke kërkuar masa më të forta mbrojtëse për punën në ambiente të hapura gjatë orëve me temperatura më të larta.

Vala e të nxehtit po prek edhe pjesën tjetër të Evropës. Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat mbi 30°C po favorizojnë përhapjen e zjarreve. Në Francë, flakët kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të pyllit Fontainebleau, ndërsa në Gjermani autoritetet raportojnë rritje të rasteve të mbytjeve, me 99 viktima vetëm gjatë muajit qershor.

Meteorologët paralajmërojnë se kushtet ekstreme të motit pritet të vijojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, duke rritur rrezikun për zjarre, mungesë uji dhe probleme shëndetësore, veçanërisht për grupet më të ndjeshme të popullsisë.

/Motilokal.com