Historia e trëndafilit në Kosovë – Tradita e Koretinit

Historia e trëndafilit në Kosovë – Tradita e Koretinit

Nga Kujtim Lepaja - Mjedra e Kosovës

Kultivimi i trëndafilit, një ndër lulet më të vjetra dekorative të përdorura nga njeriu, ka një histori të gjatë që lidhet me zhvillimin e qytetërimeve njerëzore. Që nga lashtësia, trëndafili është kultivuar në hapësirat e Lindjes së Afërt, në Kinë dhe Japoni, e më pas në Greqinë dhe Romën e Lashtë, duke u përhapur gradualisht në gjithë botën si simbol i bukurisë, elegancës dhe kulturës. Me kalimin e shekujve dhe me punën e seleksionuesve janë krijuar mijëra varietete të reja me cilësi të larta, forma të ndryshme dhe një gamë të pasur ngjyrash, duke bërë që sot trëndafili të përfaqësojë jo vetëm një element estetik, por edhe një sektor të rëndësishëm ekonomik në hortikulturë. Në Evropë, sidomos nga shekulli XVIII, interesimi për këtë kulturë u rrit ndjeshëm me sjelljen e llojeve nga India, Kina dhe Japonia, duke filluar kryqëzimet e planifikuara që vendosën bazat e prodhimit modern të trëndafilave si një industri e mirëfilltë.

Fidanishtja me trëndafila e Destan Veselit

Në Kosovë, kjo traditë nuk është e hershme sa në vendet e tjera evropiane, por ajo ka një histori shumë domethënëse dhe të lidhur ngushtë me përkushtimin individual dhe punën pionere. Fillimet e kultivimit komercial të trëndafilave në vend lidhen me vitin 1976 në fshatin Koretin, Kamenicë i cili sot njihet si qendra më karakteristike e prodhimit të trëndafilave dhe bimëve dekorative në Kosovë. Në themel të kësaj veprimtarie qëndron figura e Destan Vesel Berisha, një ndër pionierët e hortikulturës dekorative në vend, i cili me vizion, guxim dhe përvojë profesionale arriti të sjellë një kulturë të re prodhimi në ekonominë bujqësore kosovare.

Fidanishtja me trëndafila e Destan Veselit

Destan Vesel Berisha, i lindur në vitin 1933, kishte punuar për disa vite në Zvicër në fushën e hortikulturës, ku u specializua në prodhimin e fidaneve të trëndafilave. Duke parë potencialin ekonomik dhe estetik të kësaj kulture, ai vendosi që përvojën e fituar në mërgim ta sillte në vendlindje. Në vitin 1976 ai importoi nënshartesa dhe varietete cilësore nga Zvicra dhe filloi kultivimin e tyre komercial në pronën e tij familjare, duke mbjellë rreth 5.000 fidane të para. Kjo ishte një nismë e guximshme për kohën, pasi kultivimi i trëndafilave në atë periudhë ishte pothuajse i panjohur në Kosovë. Me punë të vazhdueshme, ai arriti të prodhojë trëndafilat e parë për tregun vendor, duke dëshmuar se kjo veprimtari mund të ishte ekonomikisht e qëndrueshme dhe shumë më fitimprurëse se kulturat tradicionale bujqësore.

Fidanishtja me trëndafila e Destan Veselit

Falë përkushtimit të tij, kjo veprimtari nuk mbeti vetëm në nivel familjar. Gradualisht, në kultivimin e trëndafilave u përfshinë edhe familjet e tjera të fshatit, duke e kthyer Koretinin në një zonë me identitet të veçantë hortikulturor. Me kalimin e viteve, pothuajse i gjithë fshati filloi të merrej me prodhimin e trëndafilave, duke krijuar një traditë që u trashëgua ndër breza dhe që e bëri këtë vend të njohur në gjithë Kosovën. Destani arriti të zhvillojë një prodhimtari prej dhjetëra mijëra fidaneve në vit, duke zgjeruar aktivitetin edhe në rritjen e drurëve dhe shkurreve dekorative, ndërsa në këtë veprimtari u angazhuan punëtorë të rregullt dhe anëtarë të familjes, duke krijuar një model të qëndrueshëm të ekonomisë lokale.

Përveç rëndësisë ekonomike, kjo traditë ndikoi edhe në përhapjen e kulturës së gjelbërimit dhe të rregullimeve hortikulturale në Kosovë, pasi trëndafili mbetet një nga elementet më të rëndësishme të zbukurimit të kopshteve, hapësirave publike dhe mjediseve urbane. Ai ka gjithashtu vlera industriale, mjekësore dhe ushqyese, pasi nga trëndafili nxirret vaj esencial për parfumeri, ndërsa frutat dhe pjesët e tjera të bimës përdoren në mjekësinë popullore dhe industrinë ushqimore.

Fidanishtja me trëndafila e Destan Veselit

Megjithatë, përkundër kësaj historie të suksesshme dhe potencialit të madh që ekziston për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori, prodhimtaria e trëndafilave në Kosovë sot mbetet relativisht e kufizuar. Mungesa e mbështetjes institucionale, e politikave zhvillimore për hortikulturën dekorative dhe e investimeve në këtë drejtim ka bërë që një traditë e ndërtuar me shumë mund dhe përkushtim të mos arrijë dimensionet që meriton. Historia e kultivimit të trëndafilave në Koretin mbetet një dëshmi e qartë se iniciativat individuale dhe pasioni për tokën mund të krijojnë modele zhvillimi, por edhe një thirrje që kjo trashëgimi profesionale të mbështetet dhe të zhvillohet më tej në mënyrë të organizuar.