Kamionët që shkelin kufijtë e peshës po gjobiten pa kompromis

Kamionët që shkelin kufijtë e peshës po gjobiten pa kompromis

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) ka bërë thirrje për respektimin e kufijve të lejuar të peshës nga operatorët ekonomikë dhe drejtuesit e mjeteve të rënda, duke theksuar se mbingarkesa mbetet një ndër shkaqet kryesore të dëmtimit të infrastrukturës rrugore.

Sipas ministrisë, çdo vit investohen qindra miliona euro nga buxheti i shtetit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, ndërsa këto investime duhet të mbrohen nga dëmtimet që shkaktohen si pasojë e mosrespektimit të rregullave për ngarkesën e mjeteve.

MIT thekson se gjatë sezonit veror, temperaturat e larta e bëjnë asfaltin më të ndjeshëm ndaj dëmtimeve, ndaj kërkohet kujdes i shtuar dhe respektim i rreptë i kufizimeve të peshës.

Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se do të intensifikojë kontrollet në terren për të parandaluar dëmtimin e rrugëve dhe për të garantuar sigurinë në komunikacion.

Vetëm më 1 korrik 2026, autoritetet kanë shqiptuar 24 kundërvajtje ndaj mjeteve që kanë tejkaluar peshën e lejuar, me një vlerë totale prej 13,910 euro. Nga kjo shumë, 13,140 euro janë gjoba të shqiptuara ndaj operatorëve ekonomikë, ndërsa 770 euro ndaj personave fizikë.

Ministria ka paralajmëruar se do të jetë rigoroze në zbatimin e ligjit dhe se kontrollet do të vazhdojnë pa tolerancë ndaj shkelësve, duke u bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve të rënda që të respektojnë kufijtë e lejuar të peshës dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e infrastrukturës rrugore, e cila financohet nga taksapaguesit.


/Motilokal.com