Dy aeroplanë zjarrfikës janë dërguar me urgjencë në rajonin e Parisit për të vënë nën kontroll një zjarr të madh që ka përfshirë pyllin Fontainebleau, në juglindje të kryeqytetit francez.
Autoritetet e kanë cilësuar zjarrin si "jashtëzakonisht të fuqishëm", ndërsa flakët kanë detyruar mbylljen e pjesshme të autostradës kryesore veri-jug të Francës, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit në një nga fundjavat më të ngarkuara të sezonit veror.
Sipas zyrtarëve, herët të hënën zjarri kishte përfshirë rreth 800 hektarë pyll dhe vazhdonte të përhapej me shpejtësi, rreth 60 kilometra në juglindje të Parisit.
Rajoni i Parisit po përballet me valën e tretë të të nxehtit këtë vit, ndërsa vera në Evropë po shënon temperatura rekord në shumë vende, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve.
Eric Brocardi, përfaqësues i Federatës Kombëtare të Zjarrfikësve të Francës, tha se kjo është hera e parë që aeroplanë zjarrfikës transferohen nga jugu i vendit – zonë që zakonisht përballet me më shumë zjarre – për të ndërhyrë në rajonin e Parisit.
Përveç dy aeroplanëve, në operacion janë angazhuar edhe dy helikopterë zjarrfikës dhe një avion vëzhgimi.
"Qëllimi ynë është të mbrojmë jetët e njerëzve dhe pronat", deklaroi Brocardi.
Ndërkohë, një tjetër zjarr kishte bllokuar një autostradë në lindje të Parisit dhe kishte ndërprerë qarkullimin në një linjë të trenit me shpejtësi të lartë në jug të Francës.
Kompania kombëtare hekurudhore franceze, SNCF, njoftoi se udhëtarët po përballeshin me vonesa deri në gjashtë orë në trenat që mbërrinin ose niseshin nga stacioni Gare de Lyon në Paris.
Vala e të nxehtit ka detyruar gjithashtu mbylljen e përkohshme të tre centraleve bërthamore, ndërsa organizatorët e garës së çiklizmit Tour de France shkurtuan me 30 kilometra etapën e së dielës, pasi temperaturat iu afruan 40 gradë Celsius.
Temperaturat ekstreme në mbarë Evropën kanë nxitur shpërthimin e zjarreve të mëdha. Në Spanjë, të paktën 13 persona humbën jetën nga zjarri i fuqishëm që shpërtheu të enjten në Almeria, një nga më vdekjeprurësit në historinë e vendit.
Edhe Mbretëria e Bashkuar po përballet me situatë të vështirë. Një zjarr i madh në veri të Uellsit është shpallur incident madhor nga shërbimet e emergjencës, ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë betejën me vatrat e zjarrit në disa zona të Anglisë dhe Uellsit.
/Motilokal.com
