Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal për të parandaluar zjarret në pyje dhe hamullore gjatë sezonit veror.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pacolli theksoi se parandalimi i zjarreve është përgjegjësi e secilit dhe ftoi qytetarët të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit.
Sipas saj, temperaturat e larta dhe tharja e bimësisë kanë rritur ndjeshëm rrezikun e shpërthimit të zjarreve, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha në pyje, biodiversitet, tokë dhe cilësinë e ajrit. Ajo nënvizoi gjithashtu se djegia e hamulloreve dhe mbetjeve bujqësore dëmton pjellorinë e tokës dhe prish ekuilibrin natyror.
Në këtë kuadër, ministrja u bëri thirrje qytetarëve që të mos djegin hamullore apo mbetje bujqësore, të mos ndezin zjarre në natyrë, të mos hedhin cigare në pyje apo ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri tek autoritetet kompetente.
"Të mbrojmë pyjet, tokën dhe natyrën tonë. Çdo veprim i vogël ndihmon mjedisin", ka shkruar Pacolli.
/Motilokal.com
