Kujdes nga rreziku i mbytjes gjatë sezonit veror!

Kujdes nga rreziku i mbytjes gjatë sezonit veror!

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka bërë apel për rritjen e kujdesit gjatë sezonit veror, duke theksuar se mbytja vazhdon të jetë një nga shkaqet kryesore të humbjes së jetës.

Sipas ISHP-së, fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit janë ndër grupet më të rrezikuara, ndërsa shumica e rasteve të mbytjes ndodhin në det, lumenj, liqene dhe pishina.

Për të parandaluar aksidentet, Instituti rekomandon që qytetarët të mos hyjnë në ujë vetëm, të mbikëqyrin vazhdimisht fëmijët pranë ujit, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e rojeve bregdetare, të shmangin notin pas konsumit të alkoolit ose kur ndihen të lodhur, si dhe të përdorin mjete shpëtimi kur është e nevojshme.

Po ashtu, ISHP u bën thirrje pushuesve të mos e nënvlerësojnë forcën e dallgëve dhe rrymave ujore, pasi edhe pakujdesia më e vogël mund të ketë pasoja fatale.

"Disa masa të thjeshta mund të shpëtojnë jetë dhe të garantojnë pushime më të sigurta për të gjithë. Parandalimi fillon me ndërgjegjësimin", thekson Instituti i Shëndetit Publik.

/Motilokal.com