Instituti i Shëndetit Publik i Shqipërisë u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë ditëve me temperatura të larta, veçanërisht gjatë udhëtimeve dhe aktiviteteve që zhvillohen në ambiente të hapura.
Përpara nisjes në udhëtim, ISHP rekomandon që qytetarët të kontrollojnë parashikimin e motit në zonën ku do të zhvillohet aktiviteti dhe të përgatiten me pajisjet e nevojshme për mbrojtje nga nxehtësia.
Sipas udhëzimeve të ISHP-së, gjatë udhëtimit duhet të keni me vete:
- Ujë të pijshëm, për të shmangur dehidratimin;
- Rroba të lehta dhe me ngjyra të çelëta, që ndihmojnë trupin të përballojë më mirë temperaturat e larta;
- Kapelë për mbrojtje nga dielli;
- Krem mbrojtës ndaj rrezeve ultraviolet me faktor mbrojtës (SPF);
- Barnat që përdorni rregullisht, nëse është e nevojshme.
ISHP këshillon gjithashtu personat që vijnë nga zona me klimë më të freskët që t’i japin organizmit disa ditë kohë për t’u përshtatur me temperaturat e larta, përpara se të kryejnë aktivitete fizike intensive. Rreziku për probleme shëndetësore të lidhura me nxehtësinë është më i lartë gjatë ditëve të para të ekspozimit.
Çfarë duhet të bëni pasi të mbërrini në aktivitet?
Instituti i Shëndetit Publik rekomandon që qytetarët të identifikojnë pikat e furnizimit me ujë të pijshëm, zonat e freskimit nëse janë të disponueshme, si dhe vendndodhjen e pikës së ndihmës së parë.
Në rast se shfaqen shenja si ndjesi e fortë nxehtësie, lodhje apo marramendje, ISHP këshillon ndërprerjen e aktivitetit, pushimin në një vend të freskët ose me hije dhe konsumimin e ujit.
“Mbrojeni veten nga efektet e temperaturave të larta dhe shijoni aktivitetin në mënyrë të sigurt”, apelon Instituti i Shëndetit Publik, duke kërkuar që qytetarët të ndjekin udhëzimet e organizatorëve dhe personelit përgjegjës, veçanërisht kur temperaturat arrijnë nivele të rrezikshme.
/Motilokal.com
