Keqpërdorim i ujit të pijshëm në Bërnicë, KRU “Prishtina” zbulon ujitjen e tokave bujqësore nga rrjeti publik

Keqpërdorim i ujit të pijshëm në Bërnicë, KRU “Prishtina” zbulon ujitjen e tokave bujqësore nga rrjeti publik

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ka zbuluar një rast të keqpërdorimit të ujit të pijshëm në fshatin Bërnicë, ku sipërfaqe të konsiderueshme bujqësore dyshohet se janë ujitur me ujë të marrë nga rrjeti publik i furnizimit.

Sipas njoftimit të KRU “Prishtina”, rasti është identifikuar nga inspektorët e kompanisë, ndërsa analizat laboratorike kanë konfirmuar se uji i përdorur për ujitje ishte ujë i pijshëm nga sistemi i ujësjellësit.

“Dhjetëra ari me pemë ujiteshin me ujë të pijshëm të marrë në mënyrë të kundërligjshme nga rrjeti i ujësjellësit. Falë punës së inspektorëve tanë, rasti u zbulua, ndërsa analizat laboratorike e konfirmuan se bëhej fjalë për ujë nga rrjeti publik”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

KRU “Prishtina” ka theksuar se keqpërdorimi i ujit të pijshëm ndikon drejtpërdrejt në furnizimin e rregullt të konsumatorëve, veçanërisht gjatë periudhave kur kërkesa për ujë rritet.

“Banorët e zonës kanë shprehur ankesa për mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, ndërsa në të njëjtën kohë uji i rrjetit publik përdoret për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore. Pa ujë në çezma, por bahçet mbeten të gjelbra”, thuhet më tej në njoftimin e KRU “Prishtina”.

Kompania ka bërë thirrje për përdorim të përgjegjshëm të ujit të pijshëm dhe ka paralajmëruar se rastet e keqpërdorimit do të vazhdojnë të evidentohen dhe të trajtohen sipas procedurave përkatëse.


/Motilokal.com