Shqipëria ka nisur procesin e reformimit të shërbimit hidrometeorologjik, me synim modernizimin e sistemit të monitorimit të motit dhe klimës, rritjen e kapaciteteve teknike dhe përmirësimin e përgatitjes ndaj rreziqeve natyrore.
Reforma synon krijimin e një shërbimi më të avancuar dhe të besueshëm, i cili do të ofrojë të dhëna më cilësore hidrometeorologjike e klimatike për fusha me rëndësi si mbrojtja civile, bujqësia, energjia, menaxhimi i ujërave, transporti dhe turizmi.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, zhvilloi takimin e parë me grupin ndërinstitucional të punës për këtë proces, ku morën pjesë përfaqësues nga Instituti i Gjeoshkencave, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), institucione të tjera shtetërore, si dhe partnerët ndërkombëtarë të projektit ALBAdapt dhe MeteoSwiss.
Jaupaj bëri të ditur se puna e grupit do të fokusohet në hartimin e një kuadri të ri ligjor dhe institucional, me qëllim ndërtimin e një sistemi hidrometeorologjik modern, të qëndrueshëm dhe në përputhje me standardet evropiane.
Sipas tij, përmirësimi i këtij shërbimi do të ndihmojë në sigurimin e informacionit të saktë dhe në kohë për institucionet dhe qytetarët, duke rritur aftësinë për paralajmërim të hershëm dhe menaxhim më efikas të përmbytjeve, thatësirave dhe fenomeneve të tjera ekstreme.
Procesi i reformimit synon gjithashtu përafrimin e sistemit shqiptar me praktikat dhe kërkesat e Bashkimit Evropian, në kuadër të përpjekjeve për integrimin e vendit.
/Motilokal.com


