Eksperti paralajmëron: Pse nuk duhet të bëni dush menjëherë pas ushtrimeve

Eksperti paralajmëron: Pse nuk duhet të bëni dush menjëherë pas ushtrimeve

Për shumë njerëz, dushi është hapi i natyrshëm pas përfundimit të një stërvitjeje. Qoftë në palestër, vrapim, çiklizëm apo ndonjë formë tjetër ushtrimi, shumica e njerëzve shkojnë direkt në dhomën e zhveshjes.

Megjithatë, sipas radiologut spanjoll dhe profesorit të universitetit José Manuel Felites, ky zakon mund të mos jetë zgjidhja më e mirë.

Pse duhet pak kohë për të pritur?

Siç shpjegon eksperti, gjatë ushtrimeve, muskujt prodhojnë nxehtësi, e cila rrit temperaturën e trupit. Për të përballuar këtë rritje, trupi zgjeron enët e gjakut dhe aktivizon djersitjen, në mënyrë që nëpërmjet avullimit të djersës, temperatura e trupit të ulet gradualisht.

Nëse dikush futet në dush menjëherë pasi ka mbaruar një stërvitje, mund ta ndërpresë këtë proces natyror të termorregullimit. Sipas Felithes, kjo në disa raste mund të shkaktojë marramendje ose edhe të fikët, veçanërisht pas një sforcimi të fortë fizik.

Roli i djersës

Eksperti thotë gjithashtu se djersa vazhdon të nxirret për disa minuta pas ushtrimeve, ndërsa trupi përfundon procesin e ftohjes. Për këtë arsye, shumë njerëz ndihen sikur ende djersiten edhe pasi kanë bërë dush.

Në të njëjtën kohë, ai thekson se djersa ka një pH paksa acid, i cili ndihmon përkohësisht në mbrojtjen e lëkurës nga mikroorganizmat dhe irrituesit e jashtëm. Përdorimi i menjëhershëm i sapunëve mund ta prishë këtë ekuilibër, duke rritur gjasat e tharjes ose acarimit të lëkurës, veçanërisht tek njerëzit me lëkurë të ndjeshme.

Sa kohë duhet të presësh?

Sipas profesorit, trupit i duhen rreth 15 minuta pas përfundimit të ushtrimeve që gradualisht të kthehet në temperaturën normale.

Gjatë kësaj kohe, rekomandohet të hidratoheni në mënyrë adekuate, të bëni shtrirje të lehta, të ecni ngadalë ose thjesht të pushoni derisa pulsi dhe temperatura e trupit tuaj të ulen.

Pasi të përfundojë ky proces rikuperimi, dushi mund të bëhet në mënyrë më të sigurt dhe të ofrojë ndjesinë e nevojshme të pastërtisë dhe rigjenerimit pas stërvitjes.

/Motilokal.com