Tragjedi në Suharekë, 26-vjeçari dyshohet se humbi jetën nga rrufeja në bjeshkë

Tragjedi në Suharekë, 26-vjeçari dyshohet se humbi jetën nga rrufeja në bjeshkë

Një ngjarje tragjike është raportuar pasditen e së martës në komunën e Suharekës, ku një i ri ka humbur jetën në një zonë malore, dyshohet si pasojë e goditjes nga rrufeja.

Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 17:23, Qendra e Emergjencës në Suharekë ka pranuar njoftim se në afërsi të vendit të njohur si “Guri i Dellocit”, në zonën malore ndërmjet bjeshkëve të Bukoshit dhe Dellocit, një person ndodhej pa shenja jete, pas dyshimeve për goditje nga rrufeja.

Rasti është raportuar fillimisht nga banorë të fshatit Delloc.

Menjëherë pas njoftimit, patrulla e Stacionit Policor në Suharekë së bashku me hetuesit janë nisur drejt vendngjarjes. Për shkak të terrenit të vështirë dhe qasjes së kufizuar, ndërhyrja në zonë është bërë me vështirësi.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e Emergjencës së Suharekës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e viktimës, F.B., mashkull rreth 26 vjeç.

Autoritetet kanë njoftuar prokurorin kujdestar, ndërsa hetuesit rajonalë, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.

/Motilokal.com