Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se magjistralja Ferizaj–Gjilan, në fshatin Dardani, është rihapur plotësisht për qarkullimin e automjeteve, pasi uji është larguar nga rruga pas ndërhyrjes së shërbimeve emergjente dhe pakësimit të reshjeve të shiut.
Sipas Policisë, trafiku tashmë po zhvillohet normalisht në të dy drejtimet, ndërsa qytetarët falënderohen për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë menaxhimit të situatës.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, pasi rruga mbetet e lagësht.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në fshatrat Dardani, Ramjan dhe Zllatar, magjistralja Ferizaj–Gjilan ishte bllokuar plotësisht nga vërshimet. Përkohësisht, policia kishte orientuar drejtuesit e automjeteve të shfrytëzonin rrugë alternative deri në normalizimin e situatës.
/Motilokal.com
