Rreth 1.300 persona kanë humbur jetën në Evropë brenda vetëm një jave për shkak të temperaturave të larta, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Ekspertët paralajmërojnë se kontinenti po ngrohet me ritmin më të shpejtë në botë, pothuajse dy herë më shumë se mesatarja globale.
Ky zhvillim konfirmohet edhe nga raportet e programit evropian për vëzhgimin e Tokës, Copernicus, të cilat tregojnë një trend të vazhdueshëm të rritjes së temperaturave dhe intensifikimit të valëve të të nxehtit në dekadat e fundit.
Sipas të dhënave, temperatura mesatare globale është rritur me 0,27°C për dekadë që nga vitet 1990, ndërsa në Evropë rritja ka qenë dukshëm më e lartë, rreth 0,56°C për dekadë. Në krahasim, rritje më të ulëta janë regjistruar në Azi dhe Australi, ndërsa Arktiku mbetet rajoni më i prekur, me rritje deri në 0,75°C për dekadë.
Krahasuar me periudhën paraindustriale (1850–1900), Evropa është ngrohur me rreth 2,5°C. Periudha 2023–2025 është regjistruar si më e nxehta ndonjëherë.
Pse Evropa po ngrohet më shpejt?
Ekspertët identifikojnë disa faktorë kryesorë:
Së pari, ulja e mbulesës së dëborës në Alpe, Pirenej dhe zonat veriore ka ekspozuar sipërfaqe më të errëta, të cilat thithin më shumë energji diellore dhe përshpejtojnë ngrohjen.
Së dyti, ndryshimet në qarkullimin atmosferik kanë sjellë më shpesh anticiklone të nxehta nga Afrika e Veriut, duke zgjatur dhe forcuar valët e të nxehtit në Evropën Jugore dhe Perëndimore.
Së treti, përmirësimi i cilësisë së ajrit ka reduktuar ndotjen, por njëkohësisht ka rritur transparencën e atmosferës, duke lejuar më shumë rrezatim diellor të arrijë në sipërfaqe.
Pasojat dhe sfida për të ardhmen
Valët e të nxehtit po zgjasin më shumë dhe po shoqërohen gjithnjë e më shpesh me net të nxehta, duke rritur rrezikun për shëndetin publik. Vendet si Franca dhe Gjermania janë ndër më të prekura, ndërsa Evropa Qendrore dhe Veriore vuajnë më shumë për shkak të mungesës së përshtatjes ndaj temperaturave ekstreme.
Ekspertët theksojnë se edhe nëse emetimet globale ulen, Evropa do të duhet të përshtatet me një realitet të ri klimatik, duke rishikuar mënyrën e ndërtimit të qyteteve, infrastrukturës dhe sistemeve të mbrojtjes së popullsisë.
/Motilokal.com
