Ushqimet që ju ndihmojnë të përballoni vapën e verës

Ushqimet që ju ndihmojnë të përballoni vapën e verës

Temperaturat e larta të verës shpesh shoqërohen me lodhje, mungesë energjie dhe dehidratim. Përveç konsumimit të mjaftueshëm të ujit dhe qëndrimit në ambiente të freskëta, specialistët theksojnë se edhe ushqimi luan një rol të rëndësishëm në përballimin e vapës.

Sipas ekspertëve, frutat dhe perimet e stinës duhet të jenë pjesë e përditshme e tryezës gjatë muajve të verës. Ushqime si shalqiri, pjepri, kastravecat, domatet, kungulleshkat, specat, pjeshkët, kajsitë dhe frutat e pyllit përmbajnë sasi të larta uji, vitamina dhe minerale, duke ndihmuar organizmin të zëvendësojë lëngjet e humbura dhe të qëndrojë i hidratuar.

Për të luftuar lodhjen, rekomandohen edhe frutat e thata dhe farat, si bajamet, arrat, fëstëkët dhe farat e ndryshme. Ato janë të pasura me proteina, yndyrna të shëndetshme dhe minerale, duke siguruar energji të qëndrueshme gjatë ditës.

Ekspertët këshillojnë gjithashtu që në ditët e nxehta të shmangen ushqimet e rënda dhe të yndyrshme. Në vend të tyre, preferohen burime proteinash më të lehta, si peshku, bishtajoret, vezët, djathrat e freskët dhe mishi i bardhë, të cilat treten më lehtë dhe ndihmojnë në ruajtjen e energjisë pa e rënduar organizmin.

Një regjim ushqimor i balancuar, i kombinuar me hidratim të mjaftueshëm, mbetet një nga mënyrat më efektive për të përballuar temperaturat e larta dhe për ta kaluar verën në formë sa më të mirë.

/Motilokal.com