Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga temperaturat e larta që pritet të mbizotërojnë në vend gjatë kësaj fundjave.
Sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat e ditëve në vijim do të jenë të ngritura dhe klasifikohen si valë e të nxehtit me intensitet mesatar.
IKSHPK thekson se temperaturat e larta mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve, ndaj rekomandon zbatimin e masave mbrojtëse, veçanërisht për grupet më të rrezikuara, si fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe të moshuarit.
Instituti u bën apel qytetarëve që të shmangin ekspozimin e panevojshëm në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të mbajnë ambientet e banimit sa më të freskëta, të konsumojnë sa më shumë ujë dhe të freskojnë trupin rregullisht.
Po ashtu, kërkohet kujdes i veçantë për foshnjat, fëmijët dhe personat e ndjeshëm, të cilët janë më të rrezikuar nga efektet e temperaturave të larta.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë këto rekomandime për të shmangur problemet shëndetësore që mund të shkaktohen nga vala e të nxehtit.
/Motilokal.com
