Një test që synon të vërtetojë nëse njerëzit kanë qenë të infektuar me koronavirus në të kaluarën, është miratuar nga zyrtarët e shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar.
Zyrtarë të Shëndetit Publik në Mbretërinë e Bashkuar e kanë konsideruar testin për antirupa, të zhvilluar nga kompania farmaceutike zvicerane, Roche, si “zhvillim shumë pozitiv”.
"Javën e kaluar, ekspertët shkencorë në PHE Porton Down kryen një vlerësim të pavarur të analizës së serologjisë së re Roche SARS-CoV-2 në kohë rekord, duke konkluduar se është një analizë shumë specifike me specifikim prej 100%", tha profesori John Newton, koordinator kombëtar i Programit të Testimit të Koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar.
“Një testim i tillë, tejet specifik ndaj antitrupave është shumë i saktë sa i përket infektimit në të kaluarën”, tha ai.
"Kjo nga ana tjetër mund të tregojë një imunitet ndaj infeksionit në të ardhmen edhe pse shtrirja në të cilën prania e antitrupave tregon imunitetin mbetet e paqartë."
Shkencëtarët besojnë se ky test i gjakut identifikon nëse janë zhvilluar antitrupa nga sistemi imunitar kur një person është infektuar me këtë virus.
Antitrupat zakonisht krijojnë një shkallë të imunitetit për një kohë. Deri më tani, zyrtarët nuk kanë qenë shumë të sigurt për vërtetësinë e këtij lloj testi.
Gati 300,000 persona në gjithë botën është raportuar të kenë vdekur me koronavirus, derisa më shumë se 4.3 milionë persona janë infektuar nga ai./Motilokal.com
