Si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike po vazhdon të bie niveli i ujit në liqenet akumuluese të Batllavës dhe Badovcit. Gjendje më alarmante është në liqenin e Badovcit.
Ujësjellësi Prishtina ka bërë të ditur se niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 627.53 m mbi nivelin e detit ose 7.47 m nën nivelin maksimal të kapërderdhjes.
Ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit është 639.67 m mbi nivelin e detit ose 10.18 m nën kuotën maksimale.
Sipas KRU Prishtina akumulacionet varen nga reshjet atmosferike.
“Nëse vazhdohet me trendin e mungesës së reshjeve atmosferike dhe nëse nuk kemi kujdes në përdorimin e drejtë të ujit të pijshëm, nga muaji korrik 2020 e tutje mund të fillohet me reduktime të ujit të pijshëm në zonat që furnizohen nga liqeni i Badovcit”, thuhet në njoftim.
Ujësjellësi Prishtina u ka bërë thirrje qytetarëve të shpenzojmë racionalisht ujin e pijshëm, të mos e lëmë rubinetin hapur pa pasur nevojë, të mos ujisim arat me ujin e pijshëm, etj. Bashkërisht për furnizim stabil me ujë të pijshëm!/Motilokal.com
