Lënda e parë e shumë produkteve që përdorim sot përfitohet nga burimet natyrore. Bashkë me rritjen e popullsisë kemi edhe rritjen e konsumit dhe kjo shkakton jo vetëm pakësimin e këtyre burimeve natyrore, por edhe zhdukjen e tyre. Për të mbrojtur këto burime, që në natyrë gjenden në sasi të kufizuar, është bërë e pashmangshme përdorimi i metodave alternative në prodhim. Një nga praktikat që ndiqet për këtë qëllim, është edhe riciklimi.
Riciklimi është shndërrimi i mbetjeve të caktuara në lëndë të parë dytësore duke i përpunuar ato më parë me anë të proceseve të ndryshme fizike ose kimike dhe përfshirja e tyre sërish në procesin e prodhimit.
Mbetjet si hekur, çelik, bakër, plumb, letër, plastikë, alumin, kauçuk, xham dhe të tjera të ngjashme me këto janë mbetje të riciklueshme. Gjithashtu të përshtatshme për riciklim janë edhe mbetjet elektronike, bateritë dhe vajrat. Përdorimi përsëri i këtyre mbetjeve duke i ricikluar ato parandalon shterimin e burimeve natyrore.
Riciklimi i mbetjeve përveçse ruan rezervat natyrore, redukton edhe koston në sigurimin e lëndës së parë dhe sasinë e energjisë që harxhohet gjatë prodhimit.
Një avantazh tjetër që ka riciklimi, është edhe pakësimi i sasisë së mbetjeve inerte që duhen eliminuar. Në këtë mënyrë reduktohet edhe dëmi që i shkaktojnë këto mbetje mjedisit jetësor, por kursehet edhe nga hapësira e depozitimit të tyre.
Motilokal.com ju sjell pesë fakte rreth riciklimit:
1. Në mes viteve 2015 dhe 2017, mbeturinat u rritën për 5.7 milion ton
2. 2.5 milion shishe plastike hidhen çdo orë në Amerikë
3. Vetëm 23% e shisheve të ujit të disponueshëm riciklohen
4. Riciklimi i një ton shisheve plastike kursen përdorimin ekuivalent të energjisë për një familje dy anëtarshe për një vit
5. Në botë, çdo minutë përdoren rreth dy milion qese plastike.
Riciklimi i plastikës jo vetëm që ndihmon ekonominë, por edhe do të shpëtojë mjedisin nga ndotja./Motilokal.com
