Ishulli i Zvërnecit, njihuni me 'Karaibet shqiptare' [Foto]

Ishulli i Zvërnecit, njihuni me 'Karaibet shqiptare' [Foto]

I tërë peizazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plotë kontraste dhe ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi. 

Ky është Ishulli i Zvernecit, i cili gjendet brenda Lagunës së Nartës në Shqipërinë jugore. Ishulli është pothuajse i mbuluar me pemë të larta pishe. Është 430 metra në gjatësi dhe ka gjerësi maksimale 300 metra. Ishulli i Zvërnecit lidhet me territorin nga një urë druri me gjatësi 270m.

Ishulli është një atraksion turistik, sepse në të ndodhet edhe Manastiri i Zvërnecit të shek. XIII-XIV të Perandorisë Bizantine. Pranë ishullit gjendet fshati që mban të njëjtin emër. Ishulli ka një sipërfaqe rreth 9 hektarësh. 

Ndërsa Laguna e Nartës zë gjithë pjesën veri-perëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhet nga duna ranore. Nga që laguna komunikon nëpërmjet dy kanaleve me detin, uji i saj është i kripur. Kjo ka krijuar mundësinë që rreth 1/3 e lagunës të shfrytëzohet për nxjerrjen e kripës.

Me interes të veçantë për tu vizituar nga turistët janë edhe dunat e Nartës. Ato gjenden në perëndim të lagunës, në brezin ranor që ndan lagunën me detin. Mbi to ka bimësi barishtore, por edhe shkurre kripëdashëse të vogla. Një pjesë të tyre rreth 30 vjet më parë janë mbjellë bimë drunore si pishë dhe akacie.

Dunat kanë vlera shkencore, estetike, turistike dhe ekonomike, pasi mbrojnë tokat.

Vizitorët mund të futen në Zvërnec duke u nisur nga qyteti i Vlorës apo duke ardhur edhe nga qyteti i fierit. Zvërneci mbetet një nga pikat më të afërta ku gërshetohet bukuria e turizmit natyror me atë detar dhe kulturor, ku historia prehet në krahët e natyrës.

Aeronautisti dhe fotografi i njohur, Alket Islami, ka sjellë disa foto piktoreske nga ajri të Ishullit të Zvërneci./Motilokal.com