Vijon pozitiviteti i ulët nën 2%, në raport me testimet ditore. 78% e të prekurve janë shëruar
Dr. Flutra Beqo nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në një konferencë për media ka njoftuar se situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbeshtetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin epidemiologjik në mënyrë aktive.
Ajo tha se në 24 orët të fundit janë testuar 246 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19. Vijon pozitiviteti i ulët nën 2%, në raport me testimet ditore. Në 24 orët e fundit, kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 në Berat dhe 2 në Tiranë, mes të cilave një grua shtatzanë. Ndërsa të shëruar janë 6 qytetarë.
Beqo bëri të ditur se deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 880 qytetarë, 78 % e të cilëve janë shëruar, duke shtuar se në të gjithë vendin aktualisht janë 161 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër.
“Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 21 pacientë dhe vetëm 1 prej tyre është në terapi intensive. Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11578 testime, nga të cilat, 11,048 janë testime molekulare dhe 530 janë testime aerologjike”, tha mjekja Beqo.
Mjekja Beqo theksoi se pavarësisht situatës së përmirësuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40./Motilokal.com
