Paralajmërim për ushqimin e kafshëve të egra në natyrë

Paralajmërim për ushqimin e kafshëve të egra në natyrë

Instituti për Mbrojtjen e Natyrës së Kosovës shpreh shqetësim lidhur me praktikën e përsëritur të ushqyerjes së kafshëve të egra në habitatet e tyre natyrore në disa lokalitete në Kosovë.

Bazuar në të dhënat e mbledhura nga terreni, si dhe në materialet e publikuara në rrjete sociale, është evidentuar se vendosja e strukturave për ushqyerjen e kafshëve të egra në habitatet e tyre natyrore, pa leje, autorizim apo pëlqim paraprak, është ndërmarrë në mënyrë të përsëritur nga individë, organizata joqeveritare dhe ndërmarrje publike.

Paralelisht me këto veprime, janë regjistruar ankesa dhe raportime nga qytetarët lidhur me afrimin e kafshëve të egra pranë vendbanimeve. Konkretisht, janë raportuar raste të shfaqjes së ariut të murrmë në disa zona të Prizrenit dhe Dragashit, si dhe prani e ujkut në zonën e Istogut.

Instituti vlerëson se këto fenomene mund të lidhen me praktikat e ushqyerjes së qëllimshme, të cilat mund të kenë ndikuar në ndryshimin e sjelljes së kafshëve të egra, duke i orientuar ato drejt burimeve të lehta ushqimore dhe rrjedhimisht drejt zonave të banuara, si dhe duke ndikuar në prishjen e balancit ekologjik në ekosistemet natyrore.

Edhe më shqetësues është fakti se raste të ngjashme të ushqyerjes së kafshëve të egra janë vërejtur edhe në parqe kombëtare.

Ushqimi i kafshëve të egra, edhe kur bëhet me qëllim të mirë, krijon probleme serioze për ekosistemin dhe vetë kafshët, përfshirë:

  • rrezik për sigurinë publike, për shkak të afrimit të kafshëve pranë zonave të banuara dhe turistike
  • ndryshim të sjelljes natyrore dhe krijim varësie nga burimet artificiale të ushqimit
  • degradim të ciklit natyror të jetës dhe prishje të balancës ekologjike
  • rritje të rrezikut të përhapjes së sëmundjeve mes kafshëve dhe potencialisht te kafshët shtëpiake
  • rrezik për shëndetin e kafshëve nga ushqimi i papërshtatshëm
  • rritje të konflikteve njeri–kafshë
  • ulje të aftësisë së mbijetesës natyrore të faunës së egër

Duke marrë parasysh se kushtet klimatike në vend nuk karakterizohen nga dimra ekstremë që do të justifikonin ndërhyrje të tilla, praktika e ushqyerjes së qëllimshme vlerësohet e panevojshme dhe potencialisht e dëmshme për ruajtjen afatgjatë të faunës së egër.

Në këtë drejtim, Instituti për Mbrojtjen e Natyrës së Kosovës i rekomandon inspektoratit të natyrës dhe organeve përgjegjëse ndërmarrjen e masave, përfshirë:

  • inspektime në terren në zonat e identifikuara dhe zona të tjera potenciale
  • verifikimin dhe dokumentimin e strukturave ushqyese dhe materialeve të përdorura
  • largimin e menjëhershëm të vend-ushqimeve të paautorizuara
  • zbatimin e masave ligjore ndaj subjekteve dhe individëve përgjegjës në rast shkeljesh


/Motilokal.com