Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka pranuar informacione dhe një video-incizim, mbi bazën e të cilave janë ngritur dyshime për ndotje të ajrit nga tymi që dyshohet se buron nga oxhaku i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në Komunën e Obiliqit.
Në lidhje me këtë rast, një prokuror i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim verifikimin e pretendimeve dhe sigurimin e provave relevante.
Sipas Prokurorisë, rasti është duke u trajtuar në kuadër të veprës penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”, e paraparë me nenin 338 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e mjedisit dhe se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për zbardhjen e plotë të rastit.
/Motilokal.com
