Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se institucionet janë angazhuar në një sërë masash konkrete për të siguruar një sezon veror më të pastër dhe më të mirëmenaxhuar.
Duke folur për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ai theksoi se është bërë një riorganizim institucional, me ndarje më të qartë përgjegjësish. Sipas tij, Ministria e Mjedisit tashmë mban përgjegjësinë kryesore për trajtimin e mbetjeve dhe mirëmbajtjen e pastërtisë në nivel vendi.
Gonxhja nënvizoi se institucioni që ai drejton është i përfshirë aktivisht në strukturat koordinuese dhe grupet e posaçme që po krijohen nga Ministria e Mjedisit, me synim përmirësimin e standardeve të pastërtisë jo vetëm gjatë verës, por gjatë gjithë vitit.
Ai bëri me dije gjithashtu se Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka ndërmarrë hapa shtesë, përfshirë kontrata të reja për të mbështetur bashkitë e Lezhës dhe Pogradecit, veçanërisht në zonat problematike ku kërkohet ndërhyrje më e thelluar në pastrim.
Në tërësi, sipas ministrit, pritet një përmirësim i ndjeshëm në cilësinë e shërbimeve të pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve, sidomos në zonat bregdetare dhe ato liqenore.
Sa i përket furnizimit me ujë, ai sqaroi se kjo çështje është në kompetencë të bashkive dhe Agjencisë Kombëtare të Kanalizimeve, në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Megjithatë, ai theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është i vazhdueshëm dhe se janë zhvilluar takime me aktorë të sektorit turistik për të adresuar shqetësimet konkrete.
Sipas tij, falë ndërhyrjeve të fundit në infrastrukturën e kanalizimeve dhe kolektorëve në disa bashki, kushtet për sezonin turistik janë përmirësuar ndjeshëm dhe pritshmëritë mbeten pozitive.
/Motilokal.com
