Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se ministria ka dërguar ftesa për organizatat e shoqërisë civile që të përfshihen si vëzhgues në procesin e shqyrtimit të dokumenteve për gurëthyesit.
Sipas saj, kjo nismë synon të rrisë transparencën dhe të garantojë një proces të drejtë dhe të paanshëm në këtë sektor.
“U kemi dërguar ftesë organizatave me kontribut të dëshmuar në mbrojtjen e mjedisit që të marrin pjesë si vëzhgues në procesin e shqyrtimit të dokumenteve të gurëthyeseve, në zbatim të vendimit për këtë sektor”, ka shkruar Pacolli.
Ajo theksoi se përfshirja e shoqërisë civile është kyçe për forcimin e mbikëqyrjes dhe mbrojtjen e mjedisit përmes monitorimit të pavarur.
“Përfshirja e tyre ndihmon në rritjen e transparencës, garantimin e një procesi të drejtë dhe forcimin e mbrojtjes së mjedisit”, u shpreh ajo.
Pacolli shtoi se institucionet janë të hapura për bashkëpunim me të gjithë aktorët, me qëllim respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se procesi është i hapur për të gjitha organizatat e angazhuara në mbrojtjen e mjedisit, duke i inkurajuar të aplikojnë përmes emailit zyrtar të ministrisë.
/Motilokal.com
