Mbahet konferenca për Kontrollin dhe Menaxhimin e Ndotjes së Ajrit në Ballkanin Perëndimor

Mbahet konferenca për Kontrollin dhe Menaxhimin e Ndotjes së Ajrit në Ballkanin Perëndimor

Në kuadër të projektit të JICA-s “Zhvillimi i kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit – Faza 2”, në Prishtinë është mbajtur një konferencë rajonale dyditore për kontrollin dhe menaxhimin e ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor.

Konferenca u organizua nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA). Gjatë saj u prezantuan aktivitetet dhe rezultatet kryesore të projektit, me fokus në përmirësimin e mbledhjes së të dhënave dhe përdorimin e tyre në hartimin e politikave për cilësinë e ajrit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua metodave të matjes së emisioneve nga burimet e ndryshme, përfshirë automjetet, amvisëritë, termocentralet, fabrikat dhe subjektet e tjera ekonomike.

Në hapje të konferencës, ministrja e MMPH-së, Fitore Dalipi Pacolli, theksoi se përmirësimi i cilësisë së ajrit mbetet prioritet i rëndësishëm institucional. Ajo shtoi se institucionet janë të përkushtuara në forcimin e kapaciteteve, avancimin e sistemeve të monitorimit dhe zbatimin e masave konkrete për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit.

Gjatë punimeve u shkëmbyen përvoja mes përfaqësuesve nga vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Maqedoninë e Veriut, lidhur me praktikat e menaxhimit të cilësisë së ajrit dhe kontrollit të emisioneve.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës prezantoi gjithashtu rezultatet e punës në kuadër të projektit, duke përfshirë inventarin e emisioneve në ajër, monitorimin e cilësisë së ajrit, studimet për ndarjen e burimeve të PM2.5, analizat e metaleve të rënda, punën laboratorike si dhe modelimin e ndotjes së ajrit.


/Motilokal.com